Poezitë e burgut nga Visar Zhiti

Poezi të shkruara fshehurazi në burgun e Spaçit dhe të Qafë Barit, një pjesë të bëra me mend dhe të lexuara fshehurazi nga miqtë e ngushtë të autorit, të burgosur edhe ata, që mësoheshin edhe përmendësh prej tyre, sepse po të zbuloheshin, ridënoheshin njëlloj si autori dhe lexuesi. U fshehën në kashtën e dyshekëve, mes leckave të të burgosurve dhe nën tokë, derisa patën fatin të “lirohen nga burgu” edhe poezitë…

Një pjesë e tyre janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, kroatisht, hebraisht etj., madje edhe janë muzikuar.

Këto copa letrash janë dëshmi e gjallë se si vuajtja e madhe shndërrohej në vlerë shpirtërore, se si balta e dënimeve bëhej poezi, hakmarrja më e madhe ndaj së keqes…

 

ARDHJA E PEGASIT NË QELINË TIME

Ditën –

paradite, mbasdite,

Natën –

paramesnate, në mesnatë, pasmesnate

çdo trokëllimë më rrëqethte…

…më dukej si prangat,

sikur do vinte polici të më merrte

të më flakte në një shpellë

ku do tmerroheshin dhe tmerret.

Çdo trokëllimë…

Ç’do trokëllimë?…

Ç’kërkon?…

Një trokëllimë…

Vura veshin si me frikë…

Afër frëngjisë,

nëpër barin e pakët-patkonj.

Kulloste një kalë

si dikur,

si në ëndërr.

Trupi i tij i bukur –

muzg i larë me shi dhe hënë.

Ç’e mirë të solli kështu?

Mos je ti Pegasi?!

Kam pasur edhe unë dëshira të blerta

Të njoma si bari.

Ca m’i kanë shkelur,

ca i kam mbajtur.

Ty po t’i hedh –

haji!

Dhe me buzët e thara

Mërmërita ngadalë

 

Siç mërmëritet nëpër dashurira:

-Kalë, o kalë…

 

Ngriti kokën,

u pamë sy më sy.

 

Kisha kohë pa u parë në një pasqyrë,

pothuaj e kisha harruar fytyrën time,

u pashë në sytë e kalit

kaq shumë njerëzorë

dhe me një si brengë shndritëse.

Isha i qethur tullë,

pis dhe me mjekër…

U mënjanova

se mos i dukesha kalit i egër.

 

Dhjetor 1979

 

RRESHTI I KËPUCËVE TË BURGOSURA

(Spaç, 12.VI.81)

 

Flenë të burgosurit.

Me një batanije të vjetër vegimesh

mbulojnë trupin e lodhur.

 

Ja dhe këpucët e tyre po dremitin në rresht

me një besnikëri të përbaltur qensh.

 

Opinga-a nuk të kujtojnë plisat e arave?

Çizme të prera

që vazhdojnë të jenë në armiqësi

me çizmet ushtarake.

 

Pantofla- të buta, të buta,

se si ndihen,

si mirësjellje e tepruar në burg.

 

Këpucë qytetare-

që keni njohur këpucë grash nëpër

takime,

që keni vallëzuar,

që keni shkëlqyer nëpër bulevarde,

që keni hyrë nëpër drama,

qani të braktisura nga gjithçka,

jeni vetë epilogu i dramës më të madhe.

 

Ja dhe këpucët e spiunit

me lidhësen që u varet si shpifja nëpër gojë.

Më mirë zbathur,

pa këmbë në fund të fundit,

jo me këto këpucë,

s’i shoh dot,

dot nuk i duroj.

 

Por ka edhe këpucë enigmatike, krenare

(siç ka dhe të shëmtuara)

këpucë që në shpirt,

ndoshta dhe në histori,

do të lënë gjurma.

 

Këpucë të burgosura,

më fatkeqet në botë,

të lodhura

të çara.

Kur jeta fut këmbët te ju,

shkon prapa, vetëm prapa.

 

ËNDRRAT

Ti po mbyll sytë, i dërrmuar

nga puna e tmerrshme këtu nën tokë.

Patjetër je duke ëndërruar,

se ëndrrave pranga s’u vënë dot.

 

Dhe le ta bëjnë ferr galerinë,

ti vuan që të mbetesh engjëll.

Mbi supe si flatra ke mirësinë

dhe fluturon nëpër ëndërr.

 

Ku shkon kështu? Ah, unë e di

dhe ëndrrat lodhen mes kaosit

dhe kanë ftohtë ashtu si ti

veç me kapotën e të burgosurit

 

dhe s’po të them që i vrasin ëndrrat

që kam shëtitur ndër varret e tyre.

Ndodh që na vrasin më parë se ëndrrat

dhe qajnë ato mbi ne si vejushë.

 

Befas u zgjove. Buzëqesh i trembur,

sapo u ktheve nga ai vend i lumtur.

Balli i mbushur plot me ëndërr

e di që bëhet më i bukur.

 

Spaç, dimër 1982

 

 

 

 

Shpërndaje