Pasojat që prodhon vendimi i fajësisë për Ervin Salianjin

Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë, dje bëri shpalljen e vendimit sa i përket çështjes penale të njohur në publik si “Babale”.

Pas 40 minutash seancë, Gjykata e Apelit ka vendosur mospranimin e ankimit të bërë nga Alizoti çka ka sjellë lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë për dënimin me 1 vit burg të deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji.

Ky vendim ka ngjallur reagim në kampet politike ku palët kanë ashpërsuar retorikën duke shkuar shumë larg në qëndrime, me akuza dhe fyerje të ndërsjellta që tejkalojnë çdo limit të komunikimit publik.

 

Por, çfarë ndodh tani, pasi gjykata u shpreh? 

Pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Apelit dhe nisjes së procedurës për ekzekutimin e vendimit penal të formës së prerë, efektet që prodhohen janë të ndryshme, të karakterit penal dhe civil. Konkretisht, referuar nenit 464 të Kodit të Procedurës Penale, është Zyra e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale i cili nxjerr Urdhërin e Ekzekutimit duke bërë ndalimin e personit dhe shoqërimin fillimisht në ambientet e paraburgimit e më pas në një nga IEVP për vuajtjen e dënimit të dhënë, që në rastin konkret është 1 vit.

Më pas, pasojë tjetër që prodhohet nga ekzekutimi i vendimit të fajësisë është edhe periudha e ndalimit, kjo referuar nenit 4 të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” apo siç njihet ndryshe ligji i dekriminalizimit.

Referuar kësaj dispozite, periudha e ndalimit për të kandiduar apo mbajtur funksione publike zgjat deri në momentin e rehabilitimit. Dhe për rastin konkret, Kodi i Procedurës Penale parashikon një periudhë rehabilitimi 5 vjeçare. Që do të thotë, z.Salianji deri në shtatorin e vitit 2029 nuk mund të kandidojë për deputet.

Ndërsa, sa i përket pasojave civile, me ekzekutimin e vendimit penal të formës së prerë, nis edhe zëvëndësimi i mandatit të deputetit. Referuar nenit 71 të Kushtetutës, mandati i deputetit mbaron, ndër të tjera, kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi (gërma dh). Në funksion të përmbushjes së këtij detyrimi kushtetues, Kuvendi nis procedurën për kalimin e mandatit kandidatit vijues të listës shumëemërore të shpallur me vendim përfundimtar të KQZ në lidhje me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Duke qenë se z.Salianji ka dalë deputet nga zona zgjedhore e qarkut Korçë, kandidati i rradhës që e zëvëndëson në Parlamant është Andrea Mano, ish kryetari i PD Dega Korçë.

Këto janë pasojat e para ligjore që prodhon vendimi për dënimin me burgim të deputetit të PD Ervin Salianji. Në lidhje me pasojat politike, mbetet për tu parë në vazhdim angazhimi politik i z.Salianji, efekti që do të sjellë shkëputja 1 vjeçare e izolimit në burg por dhe ajo 5 vjeçare e mungesës në parlament, raporti që do të ketë me Partinë Demokratike dhe mbi të gjitha, rezultati që do të shënojë ky subjekt partiak në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Shpërndaje