Kuvendi ka përfshirë në seancën plenare të së enjtes votimin e projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka“, i shoqëruar me dy raporte të ndryshme të shumicës dhe pakicës parlamentare në Këshillin e Legjislacionit.
Ky votim do të jetë i treti për këtë çështje dhe i dyti që vjen si detyrim i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese kritikohet ashpër shumica parlamentare për shkelje kushtetuese me pasoja të rënda, referuar qëndrimit të prillit.
Sipas Kushtetueses, Kuvendi nuk ka respektuar vendimmarrjen e gjykatës në shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe se kjo shkelje e Kushtetutës kishte prodhuar një krizë të re, që veç të tjerash cenon vetë themelet e shtetit.
Sipas dokumenteve të publikuar në faqen e Kuvendit, socialistët në pushtet i referohen vendimit të Gjykatës Kushtetuese si ‘detyrues’, por nuk i sugjerojnë Kryetares së Kuvendit që t’u bëjë të ditur deputetëve detyrimin për të votuar pro.
Ndërsa opozita në raportin e saj thekson faktin që deputetët janë të detyruar të ekzekutojnë vendimin e gjykatës, duke votuar për dërgimin e këtij mocioni në këtë gjykatë.