Kryeministri Albin Kurti deklaroi se vizitat e tij në veri nuk janë kundër askujt madje ato janë të domosdoshme për të kuotuar nevojat që këto komuna i kanë pasi i sipas tij janë lënë anash për dy dekada.
Në adresimin e tij gjatë mbledhjes së qeverisë, Kurti foli edhe për mbylljen e komunave paralele, e cila u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duke thënë se ishte veprim ligjor pasi ato struktura po funksionon në mënyrë ilegale dhe në hapësira të uzurpura.
Kurti tha se në objektet e njëjta tashmë do të ofrohen shërbime të Republikës së Kosovës.
“Qeveria jonë nuk po mbyll zyrë, përkundrazi qeveria jonë po hap zyrë, nuk po zvogëlon apo po kufizon shërbimet përkundrazi po i shton ato, nuk po i lë largon shërbimet publike prej qytetarëve përkundrazi po i ofron tek ata, kësisoj duhet të shihen veprimet tona në veri të vendit”, tha Kurti.
Ai shtoi se kush është për mbyllje e kufizim u pa edhe një herë në fund të javës së shkuar, me barrikadat në afërsi të pikave kufitare me Kosovën në territorin serb.
“Grupe personash të maskuar në prani të policisë së Serbisë në kufi me Kosovën por në territorin e Serbisë bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura e legjitimuar udhëtarë për të kuptuar përkatësinë e tyre etnike, gjatë atyre ditëve institucionet tona, policia e inteligjenca kanë punuar nga minuta në minutë që planet e qëllimet të dështojnë edhe siç ndodhi”, u shpreh Kurti.