Komisioni Antikorrupsion|Ambasadori i BE përplasje të forta me Fatmir Xhafajn

Pavarësisht nga pranimi formal që SHBA dhe BE i bën Komisionit të Posaçëm për Drejtësinë, i ngritur nga mazhoranca, duket se sa më hapur dalin qëllimet e vërteta të ideatorit Edi Rama, aq më e fortë po bëhet përplasja mazhorancë-ndërkombëtarë për këtë çështje. “Llogaridhënia dhe transparenca nuk mund të përdoren nga mazhoranca për të cenuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë”. Ky është qëndrimi i ambasadorit të Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, që kundërshtoi Fatmir Xhafën teksa deputeti socialist po motivonte nevojën për ndërhyrje ligjore, përmes komisionit anti-korrupsion.

“Pavarësia në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk mund të jetë këmishë force për të mos u gjykuar për përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe transparendën. Ky do të ishte një gabim i madh”, tha Xhafaj.

Gonzato kërkoi të rimerrte fjalën, duke hequr dorë nga gjuha diplomatike për të mos lënë vend më për keqinterpretim.

“Pa institucione të pavarura të drejtësisë, nuk ka drejtësi të pavarur. Kriteret si përgjegjshmëria dhe transparenca nuk mund të përdoren me koston e pavarësisë së tyre dhe mendoj se ka mekanizma të brendshëm, që institucionet e drejtësisë t’i rrisin këto dy cilësi”, tha Gonzato.

Xhafaj kërkon që të shtohet llogaridhënia e institucioneve të drejtësisë para politikës në Parlament, ndërsa ambasadori europian kundërshtoi duke nënvizuar se do të cenohej balanca dhe hierarkia e reformës. Gonzato kërkoi të mos keqpërdoren raportet e Brukselit për të justifikuar qëllime të tilla.

Korrupsioni është një nga sfidat e mëdha të Shqipërisë dhe sipas ambasadorit të BE këtë nuk mund ta luftojë vetëm SPAK. Në këtë detyrë mund të bashkohet edhe superkomisioni i Xhafës, të cilit i tregoi se ku të fokusohet.

“Masat kundër korrupsionit kanë pasur deri tani një ndikim të kufizuar, dhe listoj këtu infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat pronësore, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike, partneritetet publik-privat, etj. shpresoj që në punën e vazhdueshme të Komisionit të posaçëm parlamentar për Shqipërinë 2030, të gjithë palët e interesuara të shfrytëzojnë rastin të fokusohen në këto masa parandaluese – ka shumë që mund të bëhet në këtë fushë, bazuar në prova dhe konsultim i gjerë”, tha diplomati.

Shpërndaje