Një numër në rritje i kombeve, ku përfshihet edhe Shqipëria, po përballen me rënien e popullsisë dhe me plakjen e saj, ndaj Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një studim të posaçëm, lajmëron sektorin financiar dhe veçanërisht bankat se duhet të përshtasin planet e tyre të biznesit në raport me ndryshimet e mëdha demografike.
Plakja e popullsisë do të reduktojë ofertat e kredisë, duke nxitur nga ana tjetër investimet në bono qeveritare dhe letra të tjera me vlerë, diversifikimin në sipërmarrje të reja financiare dhe zgjerim përtej kufijve. FMN vë në dukje se strategjitë e reja të bankave, nxitur nga zhvillimet demografike, gjithashtu mbartin rreziqe të reja.
Në njërën anë, plakja çon në një ulje të rrezikut mesatar të aftësisë paguese brenda sektorit bankar, që i atribuohet zvogëlimit të kredive, të cilat historikisht ishin pararendëse të krizave bankare. Por rreziqet e reja lidhen me kanalizimin e depozitave të tepërta në aktivitete të panjohura dhe potencialisht të rrezikshme.
FMN nënvizon se prania e rreziqeve të mundshme për bankat në shoqëritë në plakje shtron nevojën urgjente për përshtatje dhe një politikëbërje vigjilente. Plakja ndodh ngadalë dhe ndikimi gradual e bën efektin e saj të padukshëm në krahasim me faktorët tradicionalë që ndikojnë në aftësinë paguese të bankave. Bankat e mëdha që kanë shtrirje globale mund të zotërojnë elasticitetin për të përballur ndryshimet demografike, por bankat më të vogla mund të përballen me më shumë pengesa në përshtatjen me këto transformime demografike.
Në sfondin e ndryshimeve demografke, ku pasuria kalon nga brezi i bumit të lindjeve te gjenerata Z, të cilët mund të zhvillojnë një cikël jetësor dhe perspektiva financiare të ndryshme banka duhet të hyjnë në një cikël të ri të përshtatjes. Tregu financiar i Japonisë mund të jetë shembulli i përshtatjes e tregjeve financiare me plakjen e popullsisë vë në dukje studimi i FMN.