Rikthehet në vëmendje çështja që shokoi opinionin publik dy vite më parë. Kujtojmë këtu se më datë 20.10.2022, patrullat e policisë së shtetit u përballën me një situatë të pazakontë, e cila sa nga keqmenaxhimi e sa nga shkaqe të jashtme, krijoi një valë zemërimi ndaj këtyre strukturave për shkak të humbjes së jetë së 32 vjeçarit Lear Kurti.
Sipas Aktit të Ekspertimit Mjeko-Ligjor nr.494/2023 të Institutit të Mjekësisë Ligjore, shkaku zyrtar i vdekjes së shtetasit Lear Kurti ishte “Helmimi (mbidozim) akut me lëndë nakroktike të llojit kokainë, komplikuar me shok toksik, me mekanizmin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i punës së zemrës)”.
Por, ajo që vlenë të theksohet në gjithë këtë ngjarje është roli që kanë luajtur efektivët e policisë në menaxhimin e situatës. Referuar Aktit të Ekspertimit Teknik Vlerësues nr.0603 datë 10.03.2023, rezulton se efektivët e patrullës kanë shpenzuar kohë të vyer duke e lënë të ndjerin Lear Kurti në vendngjarje pa i dhënë ndihmën e parë si dhe të lidhur me pranga edhe pse dukshëm nuk shfaqte rrezik ikje apo kundërshtimi të punonjësit të policisë.
Sipas aktit të ekspertimit, nga momenti kur Learin e fusin në mjetin policisë dhe deri në momentin kur ky mjet largohet, kanë kaluar rreth 9.5 minuta. Në total rreth 17 minuta nga momenti kapjes së tij nga punonjësi i policisë.
Ajo që vihet re nga kqyrja e kamerave është se 3 minuta pasi Learin e fusin në mjetin e policisë kalon pranë vendngjarjes një Ambulancë (Urgjenca 127) por nuk thirret për suport nga efektivët. Pa harruar faktin se e gjithçka është zhvilluar jo më larg se 100 metra nga Spitali i Traumës.
Pas shoqërimit të të ndjerit në ambientet e komisariatit, kanë zgjatur vetëm 3.5 minuta sepse gjendja tij është përkeqësuar dhe është nisur për në Urgjencën e Traumës. Pra aty ku ishin rreth gjysëm ore më parë.
Skandalet nuk kanë të sosur. Kamerat e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë nuk rakordojnë me datën dhe orën sepse shënon orën 13:32 të drekës së ditës së hënë të vitit 1970!!! Po ashtu edhe kamerat e ambienteve të Spitalit të Traumës janë të parakorduara pasi shënojnë datën 19.10.2022, një ditë para se të ndodhte ngjarja. Pra, kamerat e dy institucioneve të rëndësishme si komisariati dhe urgjenca e spitalit, që duhet të shërbejnë për zbardhjen e rrethanave, janë të parakorduara dhe nuk i shërbejnë, madje e komplikojnë, hetimin.
Gjithsesi, tej çdo situate të përshkruar më lart, organi i akuzës ka vlerësuar se nuk ka vepër penale dhe ka marrë vendim për pushimin e hetimeve. Nesër është seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese ku do të vendoset për pranimin e saj, çka sjell pushimin e hetimeve, apo ta kthejë çështjen për rihetim duke i lënë detyra konkrete prokurorisë.