Cënimi i besimit të publikut!

Nga Besart Logu

Përmes një njoftimi publik të para disa ditëve, Ministria e Brëndshme bëri me dije se u mbyll afati për të aplikuar në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Gjithsej kishin shfaqur ambicien 15 oficerë karriere, ku njëri duket më tepër si aplikim për të bërë pis procesin dhe një tjetër që nuk plotëson kushtin përjashtues, atë të qenit efektiv aktiv në momentin e aplikimit. Praktikisht kemi 13 kandidatura që formalisht plotësojnë kriteret për Drejtor të Përgjithshëm.

Pa u ndalur në emra konkret, përmes gazetarëve të kronikës, kemi mësuar se dy prej kandidatëve janë nën hetim nga SPAK për shkak të dekonspirimeve të aksioneve të policisë në ekzekutimin e masave të sigurimit personal. Shifër relativisht e lartë kur mendon numrin e aplikantëve si dhe pozicionin për të cilin po kandidojnë.

A duhet që këto dy emra të skualifikohen nga gara edhe pse janë në fazë hetimi e ndaj tyre nuk ka një vendim fajësie të formës së prerë?

A është cënuar besimi i publikut tek institucioni i Policisë së Shtetit?

Kjo ngjarje, shoqëruar me këto dy lajme, shërbeu si indicie për këtë analizë e cila synon të shtjellojë parimin e “cënim i besimit të publikut tek institucionet”.

 

Në mos sot, kur / Në mos ne, kush

Nën këtë moto është hartuar dhe implementuar reforma në drejtësi. Duket sikur gjithçka është zhvilluar në një situatë aspak normale ku nevoja imediate për ndërhyrje ngarkonte një grup të vetëquajtur “Ne” dhe që duhej të vepronte shpejt, pra “Sot”.

Një lexim ndryshe do të ishte “Ushtrimi i një vendimmarrje të shpejtë dhe në emër të të gjithëve”.

Procese të tilla nuk janë të panjohura për Shqipërinë pasi gjyqet publike që mbaheshin ndaj armiqve të partisë janë të freskëta për një pjesë të madhe të shqiptarëve.

Për ta konkretizuar, më poshtë po sjellim pjesë nga relacioni që ekspertët e nivelit të lartë kishin konstatuar gjatë vëzhgimeve të institucioneve publike, sidomos të atyre të drejtësisë, si dhe pritshmëritë që kishin për reformën në drejtësi.

“Raportet monitoruese të partnerëve ndërkombëtarë dhe strukturave të tyre përfaqësuese, organizatave ndërkombëtare dhe atyre lokale, si dhe sondazhet e kryera, nxjerrin nivelin e besueshmërisë së qytetarëve te sistemi i drejtësisë në vlerat më të ulta, me një trend përkeqësues, duke konstatuar si dukuri serioze negative një shtrirje endemike të fenomenit të korrupsionit.

Korrupsioni, keqfunksionimi, mungesa e integritetit, profesionalizmit, pavarësisë, efiçencës, besueshmërisë, transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së sistemit tashmë janë identifikuar dhe pranohen gjerësisht si fenomene dëmtuese, që duhet të jenë në fokus të kësaj reforme të thellë, me qëllim ndryshimin e situatës në sistemin e drejtësisë në vend.

Lufta kundër këtyre fenomeneve në sistemin e drejtësisë përbën sfidën thelbësore për konsolidimin e barazisë së qytetarëve para ligjit dhe çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë, që sot është mbizotëruese.”

Shihet qartë se gjetjet e monitoruesve, të jashtëm e të brëndshëm, portretizojnë korrupsionin si një megastrukturë me natyrë politiko-juridike e krijuar dhe e mbajtur në këmbë nga elementë me mendësi korruptive që kanë kapur shtetin. Dhe kjo, ka krijuar çarjen e madhe mes pushtetit dhe publikut, ku ky i fundit ka humbur besimin tek institucionet e në të tilla kushte, një reformë e thellë në drejtësi është garancia e vetme e rikthimit në normalitet.

Me pak fjalë, duhet rrëzuar sistemi i cili është korrupt dhe korrupton çdokënd, duke e zëvëndësuar atë me një sistem të ri, larg ndikimeve politike, profesional, efiçent dhe që rikthen besimin e publikut tek institucionet.

 

Jakobinët e Drejtësisë së Re

Revolucioni Francez ka shënuar ngjarje historike botërore të cilat edhe pas pothuaj tre shekujsh shërbejnë si referenca në zhvillimet politike e sociale të vendeve me demokraci të paqëndrueshme.

Periudha gjatë dhe pas revolucionit ishte një periudhë e përgjakshme që përfshiu të gjithë Francën. Gijotina preu rreth 25.000 koka njerëzish. E nisi me mbretin Luigji XVI dhe vijoi më pas me prerjen e kokës edhe të vetë urdhëruesve të asaj masakre.

Maksimilian Robespier personifikon si askush tjetër terrorin dhe karakterin e Revolucionit Francez. Ai do të mbante rreth 900 fjalime, shumica prej të cilëve ishin pamflete politike dhe thirrje për pastrim moral nëpërmjet gijotinës, që ai ishte kujdesur ta cilësonte si “drapri i drejtësisë”. Drapër i cili ra në fund edhe mbi të sepse në periudhë revolucionesh, në një kohë të caktuar, revolucioni ha edhe bijtë e vet.

Në tërësi, i gjithë Revolucioni Francez u zhvillua në emër të një bindjeje dhe të një gëzimi të vënies së drejtësisë historike. Në të vërtetë, ishte vetëm një operacion kirurgjikal kolektiv, që rrëzonte pushtete shumëvjeçare dhe rivendoste pushtete të reja, e më vonë dinasti të reja. Pra, tjetër qëllim kanë ata që e nisin dhe tjetër ata që e prijnë revolucionin.

Për analogji dhe në referim të asaj çfarë ndodhi në Shqipëri, pas miratimit në parlament me 140 vota, të ndryshimeve kushtetuese, u hap rruga për miratimin e ligjeve organike me qëllim ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Por, fillimisht, që këto institucione të ishin në lartësinë e duhur për të dhënë drejtësi, ndryshe tashmë nga ajo e mëparshme, do të duhej që anëtarët e saj të kalonin procesin e rivlerësimit apo siç njihet në përditshmëri, vetingun. Kështu, po krijoheshin institucione të reja, me standarte të reja, e rrjedhimisht me njerëz të rinj. Thënë ndryshe, Gijotina vetinguese ishte bërë gati në pritje të “kokave” të para.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit – KPK dhe Komisioni i Posaçëm i Apelimit – KPA, ishin Koventa me shumicë Montanjarët, pro dënimit të mbretit dhe ndryshimit të sistemit. Dhe sistemi në këtë rast ishte çdo gjykatës dhe prokuror që kishte apo dyshohej se kishte lidhje me pushtetin e para reformës në drejtësi. Jo pa qëllim procesi i vetingut nisi të zbatohej nga lart poshtë. “Kokat e para që u prenë” ishin ato të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Pikërisht ato që zgjidheshin nga Parlamenti (politika) sipas parashikimeve ligjore të parareformës.

Nga 8 shkurt 2018, kur nisi procesi i vetingut, deri në muajin nëntor 2023, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë në total 712 vendime, nga të cilat:

• 311 vendime konfirmimi në detyrë

• 242 vendime për shkarkim nga detyra

• 101 vendime për ndërprerje procesi (rastet e dorëheqjeve).

Lajmi i ngritjes së këtyre institucioneve që do të kalonin në skaner gjyqtarët e prokurorët për kriterin e pasurisë, anës profesionale dhe të figurës, dha impakt pozitiv në shoqëri. Madje, shumë ekspertë e cilësuan edhe të paparashikueshëm. Kjo sepse në vetëm gjashtë muajt e parë të ngritjes së KPK janë adresuar 736 denoncime ndaj 800 subjekteve që prisnin të vetohen. Dukshëm etje e madhe për drejtësi kolektive por edhe presion i jashtëzakonshëm ndaj vendimmarrësve vetingash.

Kështu, të dehur nga pushteti absolut i dhënë fillimisht nga ndërkombëtarët, më pas nga qeveria, e në fund nga publiku, KPK e KPA nisën një reprezajle të paprecedent që nuk kishte kush e ndalte më, duke rrëshkitur në vendimmarrje edhe absurde si ajo e Antoneta Sevdarit e cila fitoi çështjen në Strasburg dhe u rikthye sërish në sistemin e drejtësisë. Zj.Sevdari u shkarkua me arsyetimin:

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, bazuar në analizën e mësipërme, arrin në këto konkluzione:

▪︎ Lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurive, rezultoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurive të deklaruara, pasi ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për këtë kriter lidhur me burimet financiare të ligjshme për të justifikuar një pjesë të pasurive të saj, në kuptim të pikës 3 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës, nenit 33, pika 5, shkronja “b” e ligjit nr 84/2016.

▪︎ Nga vlerësimi tërësor i kritereve të rivlerësimit, në kuptim të nenit 4, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, rezultoi se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.”

Duket qartë se KPK dhe KPA flasin në emër të publikut dhe gijotina e vetingut vepron në emër të drejtësisë kolektive. Masa ndëshkimore e aplikuar në të tilla raste është që përzë përjetësisht subjektin nga sistemi i drejtësisë, akti më ekstrem me natyrë administrative që mund të merret ndaj një funksionari publik.

Veçse, rasti i Antoneta Sevdarit flet për një proces antiligjor dhe lë vend për aludime se ka qenë i motivuar e me ngarkesa të tjera, mbase politike apo edhe personale ndaj vetë subjektit. Vlerësimi i pasurive të zj.Sevdari ishte mbështetur në faktin se ajo nuk kishte mundur jepte të dhëna se bashkëshorti i saj kishte paguar rregullisht tatimet mbi fitimet e tij në Greqi dhe në Arabinë Saudite, duke përfshirë edhe periudhat në të cilat ajo nuk kishte qenë në marrëdhënie martesore me të. Një absurditet që kalon kufijt sa territorial aq edhe ligjor e logjik.

 

Besimi i publikut, mbivendosje vendimesh apo korigjim i vetingut?

Paketa e parë e ligjeve që u miratua në funksion të implementimit të reformës në drejtësi përmban në total 7 ligje. Theksojmë, ligje të reja dhe jo amendime të atyre ekzistuese. Padiskutim, i pari në rradhë ishte ai për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse siç e thamë më lart, drejtësia e re duhej të përmbushte vetëm një qëllim; rikthimin e besimit të publikut tek institucionet drejtësisë. Kjo del qartë që në nenin 1 të këtij ligji:

Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave të posaçme për rivlerësimin kalimtar të të gjithë subjekteve të rivlerësimit për të garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi, sipas parashikimeve të nenit 179/b të Kushtetutës.

Hartimi e miratimi i këtij ligji vjen si detyrim për zbatimin e normës kushtetuese, asaj 179/b, të dakortësuar me 140 vota pro natën e 21 korrikut të vitit 2016. Me apo pa vullnetin e deputetëve, “rikthimit të besimit të piblikut” iu dha karakter kushtetues dhe i gjithë sistemi i ri i drejtësisë i duhet të veprojë në përmbushje të këtij detyrimi ligjor, produkt i një vullneti absolut legjislativ.

Reformimi i thellë i gjyqësorit solli krijimin e institucioneve të reja. Decentralizimi i organit të akuzës dhe atij gjyqësor krijoi një seri institucionesh të tilla si Këshilli i Lartë Gjyqësor – KLGJ, Këshilli i Lartë i Prokurorisë – KLP, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi – KED, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë – ILD, Struktura e Posaçme Anti Korrupsion – SPAK, Gjykata e Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – GJKKO. Përveç këtyre, ndryshoi mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Për të gjitha këto institucione, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese me Prokurorinë e Përgjithshme, anëtarët e saj zgjidhen dhe shkarkohen mbi disa kritere të cilat shkojnë në funksion të ruajtjes së besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë. Madje, që të bëhesh pjesë e SPAK dhe GJKKO, institucione të posaçme të cilat për shkak të kompetencës lëndore nuk janë pjesë e sistemit hierarkik, duhet të kalosh një rivlerësim të dytë, pra veting, që e bëjnë vetë këto institucione duke ngritur Komisionin e Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve. Komision i cili ka vendosur mospranimin e disa gjyqtarëve e prokurorëve dy nga të cilët u bënë publik së fundmi, kandidatura e prokurorit Ndini Tavani dhe i gjyqtarit Gert Hoxha. Madje i këtij të fundit edhe më flagrant pasi shkak për mospranimin e tij ishte një foto e takimit me kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj gjatë një ceremonie publike dhe në vendim Komisioni arsyetonte:

“…foto që në përceptimin e një vëzhguesi të arsyeshëm kuptohet se kandidati nuk ka kujdesin e duhur të balancës mes të drejtave të tij si qytetar dhe kufizimeve që lidhen me funksionin e tij, çka bën që besimi i publikut të cënohet duke krijuar dyshimin e arsyeshëm se vendimet e tij (referuar kompetencës lëndore, sipas nenit 75/a të K.Pr.Penale, të Gjykatës se Posaçme) mund të nxiten nga motive të tjera, përtej zbatimit të drejtë të ligjit.”

Kjo vendimmarrje shkaktoi reagim pro dhe kundër. Ato që e mbështetën Komisionin u nisën kryesisht nga emocionet e publikut që potencialisht mund ti cënohet besimi tek SPAK dhe GKKO ndërsa ato që e kundërshtuan, të ftohtë nga të tilla emocionesh, arsyetonin se vendimi i Komisioni bie ndesh dhe i mbivendoset atij të KPK e KPA. Sipas tyre, subjekti që ka kaluar një herë vetingun nuk mund t’i nënshtrohet një procesi të dytë të tillë, për më tepër nga institucione të ndryshme nga ato të rregulluara me ligj të posaçëm për kryerjen e rivlerësimit kalimtar. Por, ky grupim nuk merr në konsideratë dy aspekte; së pari, ngritja e Komisionit është e parashikuar në ligj (neni 6 i ligjit nr.95/2016), së dyti, buron nga parimi i përgjithshëm, kushtetues dhe fuqiplotë parlamentar, “i cënimit të besimit të publikut”! Ashtu siç e thamë edhe më lart, mbi këtë parim organizohen dhe funksionojnë të gjitha institucionet e drejtësisë së pasreformës, qofshin këto të reja apo të reformuara, veçse SPAK dhe GJKKO i është dhënë një kompetencë shtesë në krijimin e një filtri të dytë vetingues, ai i Komisionit të Posaçëm për Verifikimin e Pasurisë dhe të Figurës së Kandidatëve, për shkak të kompetencës lëndore. Thënë ndryshe, SPAK dhe GJKKO gëzojnë sot atributet e KPK dhe KPA të periudhës së hershme, të nisjes së vetingut ndaj elementëve që kanë apo të dyshuar se kanë lidhje me pushtetin politik.

 

Gjykata e Revolucionit

Më sipër, sollëm Revolucionin Francez si referencë në formën e analogjisë për të shpjeguar synimet e Reformës në Drejtësi, kush e bëri, si nisi dhe se si përfundoi. Edhe për të shpjeguar efektet që po prodhojnë institucionet e reja të dala prej saj, do të na duhet ti referohemi sërish Revolucionit Francez.

Dhjetë ditë pas prerjes së kokës të mbretit Luigji XVI, ngrihet Gjykata Revolucionare. Kjo ishte një gjykatë që kishte për objekt gjykimin e shkelësve politikë, e krijuar nga udhëheqësit e Revolucionit Francez. Gjykata shumë shpejt u bë instrument efektiv i Mbretërimit të Terrorit. Leximi i akuzave, gjykimi dhe ekzekutimi kryheshin në të njëjtën ditë. Vetëm gjatë 50 ditëve, nën drejtimin Robespierit, gjykata dënoi me vdekje 1.376 persona, përfshirë këtu edhe mbretëreshën Marie Antoinette.

Më pas, kjo gjykatë nuk u ndal as mbi vetë udhëheqësit e revolucionit, pjesë të grupit të Montanjarëve, si Heber, Danton dhe Dëmulënin. Radikalizmi i Robespierit dhe shoqërimi i tij me Mbretërimin e Terrorit përfundimisht çuan në rënien e tij në mënyrë të pakthyeshme. Në korrik 1794 ai u arrestua gjatë Reaksionit Thermidorian, një grusht shteti kundër elementëve radikalë të revolucionit. Më 28 korrik 1794, Maximilien Robespierre, së bashku me disa nga bashkëpunëtorët e tij, u ekzekutuan në gijotinë. Rënia e Robespierit shënoi fundin e fazës më radikale të Revolucionit Francez.

Realiteti i ri politik, gjyqësor dhe social në tërësi, është ai i shumëpritur por që pakkush e imagjinonte këtë ditë. Besimi por dhe dyshimi e ka shoqëruar punën e SPAK gjatë gjithë kohës. Thënë ndryshe, besimi dhe mbështetja ka qenë në mënyrë proporcionale me veprimtarinë hetimore të tij.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) është krijuar më datë 19 Dhjetor të vitit 2019 dhe kishte si fillim vetëm tetë prokurorë. Një strukturë shumë e vogël dhe aspak efektive kur mendon se BKH, si strukturë ndihmëse e SPAK, u krijua vetëm në korrik të vitit 2020. Pothuaj çdo vit, këto dy institucione kanë hapur aplikimet duke shtuar stafin e prokurorëve dhe agjentëve, çka ka sjellë rritje të rendimentit të punës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për të dalë në terma konkret, i referohemi raportit vjetor të SPAK për vitin 2023 nga ku shënohen këto rekorde:

▪︎ Prokuroria e Posaçme i ka dhënë një rëndësi të veçantë luftës kundër pastrimit të produkteve të veprave penale duke ndjekur qasjen e shoqërimit të hetimeve penale edhe me hetimet pasurore. Kjo qasje ka dhënë rezultate mjaft pozitive në të cilat vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara së bashku, nga vlerësimi i kryer për vitin 2023, përllogaritet në vlerën prej 41 milion Euro.

▪︎ Përgjatë periudhës kohore 2021-2023, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një numër relativisht të lartë të procedimeve penale të reja me një tendencë në ngritje. Nga viti 2023 dallohet një rritje në masën 16% në krahasim me vitin paraardhës.

▪︎ Krahasimisht me vitin 2022, ka një rritje të konsiderueshme të hetimeve të nisura kryesisht, në masën e 139%. Ndërkohë që ka një rritje prej 91% të interceptimit të pajisjeve fundore dhe një rritje me 95% të kërkesave për ndihmë juridike nga jashtë vendit.

▪︎ Për çështjet e regjistruara për veprat penale në kuadër të krimit të organizuar, evidentohet një rritje në masën 8% dhe një rritje në masën 10% për çështjet e dërguara në gjykatë me kërkesë për gjykim krahasuar me vitin 2022. Ka gjithashtu një rritje prej 20% për çështjet e regjistruara për veprat penale në kuadër të korrupsionit dhe veprat e tjera penale krahasuar me vitin paraardhës.

▪︎ Bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimeve të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar policinë e shtetit, ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara. Referimet nga këto institucione kanë një tendencë të fortë rënie, e cila shkon deri në 40% krahasuar me vitin 2022.

▪︎ Gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme ka hetuar gjithsej 447 çështje me 212 persona nën hetim për veprat penale në fushën e korrupsionit. Nga këto janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim 38 çështje me 142 të pandehur.

▪︎ Janë hetuar (të mbartura + të regjistruara) gjithsej 20 procedime penale me 22 persona në hetim/pandehur, ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, me funksion: 3-ish-Gjyqtarë të Shkallës së Parë, 1-ish-Gjyqtar i Apelit, 1-ish-Prokuror, 5-ish-Kryetarë Bashkie, 1-ish kandidat për Kryetar Bashkie, 2- Kryetar Bashkie, 1-ish-Ministër Finance, 1-ish-Ministër Mbrojtje, 1-ish Ministër Mjedisi, 1-ish-Ministër Shëndetësie, 1-ish-zv.Ministër Shëndetësie, 1-ish-Kryeministër, 1-ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, 1-ish-Sekretar i Përgjithshëm Ministrisë së Drejtësisë, 1-ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë.

▪︎ Janë dërguar në Gjykatë 11 çështje me kërkesë për gjykim me 12 persona të pandehur në cilësinë e ish-zyrtarit të nivelit të lartë, me funksion, 5- ish- Kryetarë Bashkie, 1-ish-Gjyqtar, 1-ish-Ministër Mjedisi, 1-ish-Ministër Finance, 2-Kryetar Bashkie, 1-ish kandidat për Kryetar Bashkie, 1-ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë.

▪︎ Janë dënuar 9 zyrtarë të nivelit të lartë nga GJKKO, me funksion, 2- ish-Deputet, 2-ish-Gjyqtarë, 3-ish-Kryetar Bashkie, 1-ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, 1-ish Nënkryetarë Bashkie.

Duhet theksuar fakti se të gjitha këto rekorde janë shënuar për një periudhë jo më shumë se dy vjeçare. Gjithsesi, interesi i publikut nuk është te volumi por te cilësia e veprimtarisë hetimore. Çuarja para drejtësisë e zyrtarëve të lartë mbetet kërkesa e parë dhe e vetme e publikut para se të nisë humbja e besimit edhe ndaj SPAK e GJKKO. Dhe duke qenë se keto institucione u ngritën pikërisht për këtë arsye, të kënaqin publikun nëpërmjet ruajtjes së besimit tek institucionet e drejtësisë, SPAK ka marrë nën hetim emrat kryesorë të politikës shqiptare. Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Ilir Beqja, dhe shumë ministra, deputetë dhe kryetarë bashkie socialistë, janë nën hetim, akuzë apo po vuajnë dënimin. Gjithashtu, vëllai i kryeministrit është nën hetim si dhe çështja “McGonigal” është regjistruar si procedim penal. Pra, edhe familja kryeministrore herët a vonë do të marrin një pozitë proceduriale penale.

Askush nuk po shpëton nga rrjeta e SPAK dhe GJKKO, qofshin këto ish funksionarë apo zyrtarë në detyrë, demokratë apo socialistë, republikanë apo monarkistë, të gjithë do të përgjigjen para ligjit. Është thjeshtë çështje kohe pasi veprat penale si “korrupsioni pasiv”, “shpërdorimi i detyrës” apo “pastrimi i produkteve të veprës penale” marrin kohë për shkak të natyrës specifike që kanë në mungesën e provave dhe të hetimit të veprimeve ose mosveprimeve të zyrtarit të lartë si person nën hetim apo i dyshuar për kryerjen e veprës penale.

 

Rishkrimi i historisë

Analogjia e Reformës në Drejtësi me Revolucionin Francez nuk u bë pa qëllim. Si indicie shërbeu motoja “Në mos sot, kur / Në mos ne, kush”. Që në lexim të parë të jep ndjesinë se diçka e madhe po vjen! Diçka që ka munguar dhe që po e kërkojnë të gjithë. Ardhje, që duhet bërë sot dhe që do të shoqërohet me pasoja të rënda por që rezultantja është në funksion të të gjithëve, pra “neve”.

Revolucioni Francez ka disa momente kulminante shoqëruar me personazhe kryesore që marrin pjesë gjatë zhvillimit të ngjarjeve. Të gjitha këto reflektohen edhe në realitetin shqiptar të pasvotimit të Reformës në Drejtësi. Veçse me një ndryshim, personazhet e revolucionit këtu reflektohen jo në emra individësh por në institucione apo autoritete.

P.sh. Mbreti Luigji XVI: ushtrues i sovranitetit në cilësinë e monarkut, në rastin tonë është Parlamenti i cili votoi në mënyrë unanime reformën në drejtësi. Është pikërisht ky moment ku u vra edhe sovraniteti i politikanëve tanë pasi tani askush nuk kishte garanci se mund t’i shpëtojë drejtësisë së re.

Konventa: e cila përbëhej në shumicë nga radikalët revolucionar, reflektohet në KPK dhe KPA. Nëse do të shohim jetëshkrimin e tyre, rezulton se të gjithë kanë qenë ish juristë të administratës socialiste. Edhe vendimet e tyre për pastrimin e gjyqësorit nga shërbëtorët e politikës dhe zëvëndësimi i tyre me prokurorë e gjyqtarë të pavarur, duke mbyllur kështu ciklin e drejtësisë së vjetër dhe duke hapur atë të drejtësisë së re, ngjason me vendimet e Konventës për ndryshimin e sistemit duke bërë kalimin nga monarkia kushtetuese në republikë.

Montanjarët: grupi i deputetëve radikal që ishin kundër mbretit, e sheh në grupin parlamentar socialist të cilët me nxitim dhe pa e ditur se çfarë i pret, morën flamurin e reformatorit duke ia atribuar vetes si arritje reformën në drejtësi.

Gjykata e Revolucionit: padiskutim që e gjejmë te institucionet SPAK dhe GJKKO, kjo nga veprimtaria që kanë e mbi të gjitha nga qëllimi i krijimit. Hetimi dhe gjykimi i politikanëve që kanë abuzuar me detyrën, duke bërë të cënohet e humbasë besimi i publikut tek institucionet shtetërore, bën që SPAK dhe GJKKO të shihen si Gjykata Revolucionare që gjykonte dhe priste kokat e çdo kundërshtari të revolucionit, e më pas të kundërshtarëve të vetë Robespierit që në shumë raste ishin miqtë e tij.

Dhe e fundit, Robespieri: si figurë qëndrore e Revolucionit Francez, e gjejmë të reflektuar te “besimi i publikut”. Ashtu siç e pamë gjatë gjithë kësaj analize, gjithçka nisi për rikthmin e besimit të publikut tek institucionet dhe në funksion të kësaj; u sanksionua në Kushtetutë me 140 vota, vetingu veproi në përmbushje të këtij qëllimi, institucionet e reja i ngritën dhe funksionojnë mbi këtë kriter e së fundmi SPAK e GJKKO po veprojnë për rikthimin e besimit tek politika në tërësi. Në emër të këtij parimi absolut, u prenë fillimisht koka funksionarësh të drejtësisë së vjetër, më pas të krerëve të opozitës si kundërshtarë të revolucionit dhe së fundmi, po priten kokat e bashkëpuntorëve të “Robespierit”, që më sipër thamë se tundën flamurin e reformatorit. Në histori, Robespieri mori fuqi aq të madhe sa e rrëzoi pesha që mblodhi. Koka e tij u fut në gijotinë njëjtë si e mijëra tjerëve, kundërshtarë apo bashkëpuntorë, duke dhënë mesazhin se ka disa fuqi tjera të padukshme e të mëdha që i luajnë fijet e politikës. Robespieri mund të ishte një avokat i zoti dhe politikan orator e idealist, ama Revolucioni Francez ishte produkt i atyre që u interesonte rrëzimi i një sistemi dhe ngritja e një tjetri, të përkohëshëm e tranzitor, me qëllim hedhjen e themeleve të një sistemi të ri, me aktorë të rinj, rregulla të reja e mendësi e filozofi të re. Kështu, mbetet për tu parë nëse Robespieri ynë, besimi i publikut tek institucionet, do të vritet apo jo, e nëse po kur. Dhe në fund, çfarë do ketë prodhuar i gjithë ky revolucion që nisi nën moton “Në mos sot, kur / Në mos ne, kush”.

 

Shpërndaje