Referuar deklaratave të fundit të dorëzuara në Komisionin Federal të Zgjedhjeve, Zv.Presidentja Kamala Harris mblodhi më shumë se trefishin e fondeve që ish-presidenti Donald Trump arriti të mbledhë në muajin gusht të këtij viti, duke i dhënë ekipit të saj një avantazh të madh financiar ndërsa gara presidenciale hyn në javët e fundit.
Fushata e Harris dhe Komiteti Kombëtar Demokratik hynë në dy muajt e fundit të plotë të ciklit zgjedhor të vitit 2024 me 286 milionë dollarë në bankë, krahasuar me fushatën e Trump dhe Komitetin Kombëtar Republikan, të cilët kishin 214 milionë dollarë, sipas deklaratave.
Kjo ndodhi pasi fushata e Harris dhe Komiteti Kombëtar Demokratik mblodhën 257 milionë dollarë gjatë muajit gusht, ndërsa fushata e Trump dhe Komiteti Kombëtar Republikan mblodhën 85 milionë dollarë në të njëjtin muaj, tregojnë dokumentet e dorëzuara.
Në fillim të këtij muaji, të dyja fushatat deklaruan vullnetarisht shifrat e tyre të mbledhjes së fondeve për gushtin, të cilat përfshinin shifrat totale nga operacioni i tyre i përbashkët i mbledhjes së fondeve me komitetet e partive shtetërore, duke zbuluar një avantazh të madh financiar që Harris kishte ruajtur për Partinë Demokratike.
Fushata e Harris dhe Komiteti Kombëtar Demokratik shpenzuan 258 milionë dollarë në gusht, pothuajse saktësisht sa shuma që mblodhën, ndërsa fushata e Trump dhe Komiteti Kombëtar Republikan shpenzuan 121 milionë dollarë, pavarësisht se mblodhën 85 milionë dollarë, tregojnë dokumentet e fundit.
Muajin e kaluar, miliarderi dhe manjati i teknologjisë Elon Musk bëri kontributin e tij më të madh politik federal deri më sot, duke dhuruar në total 289,100 dollarësh për NRCC, komiteti i dedikuar për të mbështetur kandidatët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve. Ai nuk bëri asnjë kontribut për RNC ose NRSC, të cilat përqendrohen në fushatat për Senatin.
Musk kishte dhënë më parë 50,000 dollarë për komitetin e përbashkët të mbledhjes së fondeve të ish-Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, për Partinë Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe 36,000 dollarë për fushatën e Obamës në vitin 2012.
Disa prej donatorëve kryesorë republikanë që kishin mbështetur ish-guvernatoren Nikki Haley gjatë sezonit të primareve republikane, me sa duket, po fillojnë më në fund të mbështesin Trumpin, duke nënshkruar çeqe të mëdha për super PAC-un kryesor që mbështet Trumpin.
Menaxheri i fondit mbrojtës Paul E. Singer dhuroi 5 milionë dollarë për “Make America Great Again” Inc., pasi kishte qenë një mbështetës i zëshëm i Haley më herët. Bankieri i investimeve Warren Stephens, i cili kishte dhënë 1 milion dollarë për një super PAC pro-Haley vitin e kaluar, dha të njëjtën shumë për super PAC-un pro-Trump, sipas dokumenteve.
Deklarata e re e Save America PAC të Trump-it tregon gjithashtu se ajo shpenzoi gati 2 milionë dollarë për fatura ligjore në gusht, me një nga avokatët e Trump-it, Todd Blanche, që mori më shumë se 1 milion dollarë nga kjo shumë. Firmat e tjera kryesore të paguara nga Save America përfshijnë James Otis Law Group LLC, Habba Madaio & Associates LLP, Rober & Robert PLLC dhe Richard C. Klugh PA.
Është për t’u theksuar se fushata e Trump-it raportoi një numër të vogël shpenzimesh për shërbime sigurie të paguara për Apocalypse Arms dhe Military Surplus në fund të korrikut, edhe pse vinte pas ngjarjes së atentatit ndaj ish-presidentit, tregon raporti i fundit. Shuma totale arrin në 555 dollarë.